in

“Kjo qeveri s’ka shkaktuar dëme”- Luljeta Bozo: U ka dhënë qytetarëve vila që nuk i kishin ëndërruar! Nuk e dorëzoj mandatin, kam detyrime ndaj…

Luljeta Bozo, e ardhur nga bota akademike, me një karrierë prej 58 vitesh në pedagogji me këshillat pa kompromis, ndihmoi në traumën dhe post-traumën e tërmetit. Popullariteti që ajo fitoi u bë hapi i parë drejt politikës.

Befasoi me numrin e madh të votave që mori me 25 prill 2021, ndërkohë që premtimet e saj elektorale ka nisur t’i vërë në zbatim.

Znj. Bozo thotë për gazetën “Panorama” se është urgjente të miratohet urdhri i inxhinierit dhe arkitektit që të mbrojë dhe sigurojë dhënien e lejeve për ndërtimin, kjo do të bëjë që të kemi profesionistë të vërtetë në këtë fushë. Premtoi se do të përfaqësonte moshën e tretë në Kuvend, ndaj Luljeta Bozo ka përgatitur një plan të detajuar se si mund t’u vijë në ndihmë atyre. Deputetja e PS-së nuk është penduar që e ka pranuar mandatin, përkundrazi ajo thotë se do të jetë e angazhuar si detyrim ndaj njerëzve që e votuan.

Znj. Bozo, me 10 shtator 2021 në nisje të legjislaturës së re, ju hytë e para në selinë e Parlamentit e buzëqeshur dhe tejet e qetë. Pas kaq kohësh, a është e lehtë të ruash qetësinë në politikë?

Jo gjithnjë është e lehtë ta ruash qetësinë dhe jo të gjithë e ruajnë, por nga natyra jam shumë e qetë. Nuk nxitoj në reagimet e mia.

Gjithsesi këto dosjet që po shoh mbi tavolinën tuaj duket sikur nuk ju lënë të qetë. Kaq të rëndësishme janë saqë i mbani kaq afër…?

Janë dosje që kanë të bëjnë me Parlamentin. Janë materiale që kanë të bëjnë me seancat plenare që diskutojmë në komisionin e veprimtarisë prodhuese ku unë bëj pjesë, si dhe fjalimet për në seancën e Kuvendit.

Si e shikon politikën tashmë që je brenda saj…? Sa e pastër është politika? A kanë të drejtë qytetarët kur thonë se ajo është e “pistë”?

Qytetarët kanë të drejtë zakonisht por jo kur thonë se politika është e pisët. Si kudo në çdo fushë, aspekt të jetës ka gjera të pastra, korrekte, të mira dhe që çojnë përpara shoqërinë. Por ka edhe gabime por nuk mund të themi që politika është e pisët. Për aq kohë sa kam unë në kuvend shikoj që politika e tanishme është e ndryshme nga forcat e tjera politike.

Flas për mazhorancën socialiste ku unë bëj pjesë ku mbizotëron ana pozitive. Sigurisht ka edhe gabime, por në përgjithësi ka pozitivitet, pasi të gjitha nismat e ndërmarra kanë qenë në funksionit të zhvillimit të vendit, ekonomisë kryesisht për ta çuar atë përpara. Opozita nga ana e saj e ka për detyrë që të gjejë gabimet. Është detyrë e saj, por nganjëherë zmadhohet tej mase. E kam fjalën për akuzat pa bazë ndërkohë që në Kuvend duhet të flasësh me fakte.

Si një profesioniste e vjetër me këshillat pa kompromis, ju ndihmuat në traumën dhe post-traumën e tërmetit. Por sa e ndihmuat procesin e rindërtimit…?

Procesi i rindërtimin u zhvillua dhe po vazhdon sipas një programi shumë të qartë dhe konciz. U ngrit një institucion që merret për ndjekjen dhe zbatimin e procesit të rindërtimit në të gjitha aspektet e veta. Qeveria ndoqi një politikë e tillë që qytetarëve që iu dëmtuan shtëpitë, t’u ndërtoheshin sa më shpejt dhe falas banesat e reja. Që në fillim qeveria siguroi fonde nga vendet europiane, të cilat jo të gjitha u lëvruan pasi vet Europa u përballë ashtu si ne dhe gjithë bota me pandeminë dhe problematikat e tjera të saj. Europa ka kontribuar në ndërtimin e shumë shkollave me fondet e saj dhe me një cilësi shumë të mirë që nuk dallojnë nga ndërtimet analoge në vendet europiane. Ndërkohë qeveria i dha shumë forcë ndërtimit të banesave në zonat rurale, të cilat ishin banesa inviduale ose të grupuara të gjitha, të projektuara dhe të ndërtuara mbi bazën e standardeve respektive.

Të gjithë ata që ishin pa banesa iu dha bonus banese ku përmes një kontrate që ata kishin, shteti ua paguante qiranë. Në bashkëpunim me shtetin turk, personalisht z. Erdohan, me biznesmenin e njohur kosovar Behxhet Pacolli u bë i mundur rindërtimi në Thumanë, në Laç, te “5 maji”, në Kombinat, në Durrës etj., ku në këto qendra, banorëve u ofrohen të gjitha shërbimet jetësore. Tani është në fazën e përmbylljes së këtyre qendrave të mëdha dhe ndërtimin e banesave individuale. Sa më përket mua, unë jam një person dhe kontributi im në këtë rast ka qenë me diskutime se si si mund ti zgjidhim problemet e tërmetit, duke qenë në kontakt me instancat përkatëse qendrore dhe lokale. Me ministrin Arben Ahmetaj kam diskutuar disa herë për problemet që kanë nxjerrë vet banorët.

I ke takuar nga afër banorët…?

Po, shumë herë. Kam shkuar disa herë në Laç, në Durrës. Qytetarët më takojnë kudo pa ndrojtje. E thonë hapur qëndrimin që kanë dhe u them si mund te zgjidhet. U tregoj rrugët e zgjidhjes, pavarësisht se zgjidhja është në dorën e tjetërkujt. Gjithsesi, unë i kam orientuar drejt zgjidhjes që mos të përplasen sa andej-këtej. Me marrin edhe në telefon, më çojnë email, më dërgojnë letra në Kuvend dhe më kërkojnë edhe takim.

Çfarë ju shkruajnë zakonisht?

Më shkruajnë për problematikat e tyre që nga banesat e dëmtuara, te çështja e pensioneve. Ju kërkoj më tepër që të di hallin e tyre dhe më pas i verifikoj dhe kur e shoh që problemi nuk zgjidhet përmes komunikimit me letra, atëherë kam shkuar në Laç dhe i kam takuar personalisht qyqarët që më kanë shkruar. Pas takimit me ta, kam fol me ministrin se si qëndron situata me secilin që kam takuar. Kam qenë edhe në Durrës për dy objekte për të cilat më kërkon mendim dhe se si mund të zgjidhje. Ngado që shkoj gjej mirëkuptim dhe dashamirësi, pasi 58 vite në pedagogji takon shumë nga ishstudentë të mi që sot janë pjesë e fushës së ndërtimit, që nga specialistë apo ndërtues. Por, ajo që dua të them është që administrata shtetërore duhet të punojë më mirë që t’i orientojë qytetarët siç duhet, se si do t’i zgjidhin problemet dhe me aq sa kanë mundësi duhet edhe t’i ndihmojnë.

Cili ka qenë ndikimi juaj në ndryshimin e planeve “klienteliste” të Edi Ramës dhe bashkive për trajtimin e të dëmtuarve nga tërmeti…?

Nuk besoj në atë që ju i quani plane klienteliste, sepse qeveria ka qenë me një program shumë të qartë, me afatet përcaktuara për fondet e rindërtimit pavarësisht se ato u ndërprenë, sepse ndikoi pandemia dhe më pas lufta në Ukrainë. Firmat që kanë fituar tenderët krijuan një ngërç, por tani kjo situatë është rregulluar. Ne kërkojmë nga qeveria, por ajo ka një buxhet të caktuar, sepse ne jemi një shtet i vogël dhe nuk jemi si SHBA-ja me një buxhet të madh.

Pavarësisht kësaj, qeveria nuk i ka prekur fondet e rindërtimit, por është në vështirësi të madhe pasi duhet të bëjë kompensimin e energjisë për familjet në nevojë, pasi për shkak të krizës është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike. Mbështetja është kryesisht për shtresën e pensionistëve, por nuk ka lënë pas dorë as sektorët e tjerë si bujqësia që është mjaft fitimprurëse. Sigurisht, ka vend për rregullime, por në këtë situatë të vështirë, qeveria ia ka dalë duke u dhënë qytetarëve vila që as nuk i kishin ëndërruar. Kështu që nuk ka ndryshim të planeve klienteliste. Nuk duhet folur pa fakte, por me fakte dhe faktet duhet të jenë unison me kushtet që kalojmë pasi nuk jemi ne kushtet normale.

A po zbatohen kushtet teknike, të cilat ju si inxhiniere i përmendët vazhdimisht gjatë ngjarjes së rëndë të tërmetit, në vlerësimin, projektimin dhe ndërtimin e shtëpive dhe lagjeve të reja?

Kushtet teknike të projektimit janë e duke u zbatuar. Është një pjesë që është marrë nga vendet e zhvilluara europiane është bërë e detyrueshme. Ndërtuesit e kanë detyrim zbatimin e tyre pasi në kushtet e emergjencës nuk e bënin kurse tani e kanë të detyrueshme. Është urgjente të miratohet urdhri i inxhinierit dhe arkitektit që të mbrojë dhe sigurojë dhënien e lejeve për ndërtimin, kjo do të bëjë që të kemi profesionistë të vërtetë në këtë fushë.

Ne pësuam një tragjedi në 2019 nga tërmeti pasi nuk ishin zbatuar rregullat e ndërtimit, por duket se ne nuk kemi zënë mend akoma, ndaj duhet që të ngulim këmbë në këtë drejtim. Kjo është e domosdoshme, pasi fondet e mëdha të miratuara për ndërtimin e tërmetit nuk do të zbatohet si duhet. Cilësia e ndërtimeve ishte një tjetër problem që u vu re nga tërmeti i nëntorit të 2019, ndaj është e rëndësishme që të rritet cilësia dhe kontrolli ndaj laboratorëve që japin miratimet.

Besoni se dëmet e “Rilindjes” janë më të mëdha se ato të tërmetit…?.

Nuk ka shkaktuar dëme kjo qeveri. Qeveria është e angazhuar në shërbim të qytetarëve. Është e fokusuar te problemet e qytetarëve.

Në fillim të angazhimit tuaj politik ju premtuat se do të përfaqësoni interesat e moshës së tretë. Sa po i mbështesni ata? Çfarë keni bërë për ta, për përmirësimin e gjendjes së pensionistëve…?

Kam bërë një plan me 8 pika që e kam hartuar vetë, pasi duhet ta diskutoj fillimisht me pensionistët pastaj te qeveria për të ndryshuar ligjin për ata që kanë dalë në pension para 2015-s. Kishte tavan. Është i mirë, por mund të përmirësohet, stimulon njerëzit që të derdhin sigurime shoqërore për një pension më të lartë.

Qeveria, a duhej që t’i ndihmojë pensionistët me paketa mbështetëse për shkak të çmimeve të larta, të cilat vazhdojnë në një kohë që ka mbledhur 300 milionë euro më shumë në 5 muajt e fundit?

Kam depozituar një projektligj për urdhrin e inxhinierit dhe aktualisht do të filloj diskutimet, pasi ka marrë miratimin. Kjo ishte detyra ime e parë. Tani do të merrem me pensionistët për ndjekjen e problemeve të tyre. Kam bërë një plan paraprak për ta diskutuar dhe duhet patjetër me të gjithë, bashkë me opozitën, pasi pensionet ashtu si urdhri i inxhinierit edhe pensionistët nuk kanë ngjyrë. Nuk zgjidhet me sustë, por do mundohem që diçka të ndryshojë, pasi është gati 1/3-ta e popullsisë që nuk mund ta neglizhojmë. Këtë plan parapak do e diskutoj me pensionistet e më pas me institucionet kompetente, pasi ligji i ri ka tre të mira është rritur pensioni minimal, e dyta nuk ka tavan. E treta sa derdh para aq më shumë del pensioni.

Qeveria, a duhet t’u japë pensionistëve sërish bonusin për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës? A duhet të rriten pensionet e tyre?

I kam vënë detyrë vetes që pas çështjes së urdhrit të inxhinierit, do të merrem për ndryshimin e masës së pensionit të pensionistëve dhe nisjen e konsultimeve për zgjidhjen.

Qeveria, a duhet bërë më shumë për pensionistët?

Qeveria ka bërë, aq sa ka mundësi, e para njëherë që ka shumë rëndësi ka bërë shumë përpjekje që njerëzit që kanë punuar jashtë, që vitet e punës t’iu njohën atje si vite pensioni, mos t’iu shkojnë dëm vitet e punës. Në 2015-n u bë reforma e pensionit, ishte 24 mijë lekë të reja, s’ka rëndësi sa kishe derdhur ti, tani është kush derdh më shumë sigurime do ketë pension më të lartë kush punon më shumë do ketë pension më të lartë. Mund të bëjnë akoma më shumë të rishikojnë ligjet që sesi mund të bëhet që të rritet pak vlera e pensioneve. Tani që janë rritur çmimet pensionistët duhet mbështetur.

Cilat janë problemet e tyre?

Pjesa më e madhe, marrin një pension qesharak dhe ky shqetësim mund të zgjidhet vetëm përmes ndërhyrjes në ligj. Duhet të rishikohet legjislacioni për pensionistët përpara ndërmarrjes së reformës së pensioneve. Nga një grup ekspertësh të përcaktohet sa është minimumi jetik dhe për pasojë pensioni minimal të mos jetë më i vogël se kaq. Në numrin total të pensionistëve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të na raportojë se sa pensionistë e kanë pensionin më të vogël se 20 mijë lekë. Nëse kjo shifër është e madhe do të thotë se situata e pensioneve është serioz.

Mendoj se shërbimi shëndetësor falas, pavarësisht se mendoj se në sistem është futur, për pensionistët duhet kontrolluar nëse është i tillë për analiza dhe konsulta pasi nuk është kështu në praktikë. Pensionistët duhet të marrin të gjithë ilaçet e rimbursueshme ose të shtohet kjo listë. Kemi shumë pensionistë që ishin profesionistë dhe kanë kapacitete intelektuale dhe këto duhet të shfrytëzohen me zgjuarsi. Të shpërblehen. Kjo gjë mund të rregullohet me ligj. Së fundmi duhet shtuar numri i qendrave sociale, jo azile ku mund të punojnë të rinjtë. Në këto qendra mund të ketë shumë aktivitete në fushën e artit, kulinarisë, qëndisjes etj. Të kalojnë kohën me njëri-tjetrin.

Cili është mendimi juaj për investimet strategjike? A duhet bërë më shumë transparencë në rastin konkret?

Investimet strategjike nuk janë kuptuar siç duhet dhe nuk janë shpjeguar ndoshta siç duhet se çfarë është investimi strategjik, se kush mund të quhet investim strategjik dhe si realizohet një investim strategjik. Ky investim duhet zbërthyer më mirë, ndoshta përmes medias duhet sqaruar më mirë kuptimi dhe funksioni i investimit strategjik, i cili mund të bëhet nga shteti ose nga privati.

PD-ja ka depozituar në SPAK një kallëzim penal kundër Kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre, vepër penale e cila dënohet deri në 7 vjet burgim. Sipas PD-së, kreu i qeverisë ka abuzuar me ligjin për investimet strategjike, duke mbështetur një projekt të bashkëshortit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. A ka vend për dorëheqje siç kërkon opozita dhe sipas jush a mund të jepet pasuria shtetërore në këtë mënyrë?

U ngrit një problem që u diskutua në një seancë plenare ndaj duhet për mendimin tim, çështja të vazhdojë rrugën sipas ligjit dhe rregullores së kuvendit. Deri në këtë moment, nuk është vërtetuar në asnjë rast që për këtë investim strategjik janë marrë nga privati, prona nga shteti ose fonde nga shteti. Të vazhdojë procedura sipas ligjit. Nuk jam unë për ta gjykuar.

A jeni penduar që u angazhuat me politikën?

Po të isha penduar do të kisha dhënë dorëheqjen. Përderisa njerëzit më votuan, unë do të bëj maksimumin e mundshëm për ta në kuvend për ti ndihmuar në zgjidhjen e probleme që ata kanë. Jo nuk jam penduar, jam munduar që në atë fushë ku jam, ndërtimi, të jap maksimumin tim dhe të justifikoj vetëbesimin e madh që kishin 1/3 e popullsisë së madhe, pensionet që presin t’ia zgjidh Kuvendi t’iu përmirësohet gjendja e tyre ekonomike.

Bëj vazhdimisht takime me njerëzit, jo në zyrë, në rrugë kur bëj xhirot, më dërgojnë letra, mundohem t’ua zgjidh problemet, nuk është puna të zgjidh problemet e vogla. Duhet të marrësh hallet, t’i orientosh. Kemi bërë në fushën e ndërtimit një punë shumë të madhe. Urdhri i inxhinierit rregullon tregun e punës dalin vetëm prof., çdo vit të azhurnojë një pjesëtarë e urdhri me të rejat e shkencës së teknologjisë dhe i mbron inxhinierët nga çdo ndërhyrje që bëhet në profesionin e tyre.

Najada Çomo, a bëri gjënë e duhur duke u dorëhequr që në fillim të mandatit…? A ishte zgjedhja e saj thjesht një truk elektoral?

Është vendim personal. E vendosi ajo dhe nuk kam dijeni dhe nuk e besoj që është çështje kulisash. Arsyet i di vetëm ajo./VALENTINA MADANI

What do you think?

Written by Trend Live

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Po pushton në rezidencën e Ronaldos, në Ibiza. Grabitësit i rrëmbejnë 3 milionë euro pasuri Verrattit

Ndodh në Tiranë, dh*nohet efektivja e policisë, goditet me