Në lule të rinisë dhe si yje, babai nga Kosova pret ende 4 djemtë e humbur gjatë luftës: I morën rob në Serbi

Në lule të rinisë dhe si yje, babai nga Kosova pret ende 4 djemtë e humbur gjatë luftës: I morën rob në Serbi

Një baba në Kosovë pret ende 4 djemtë e tij të zhdukur që nga lufta me Serbinë. Halil Hasani, 77-vjeçar nga fshati Çabër i Komunës së Zubin Potokut në Kosovë, jeton ende me shpresën dhe besimin se katër djemtë e tij, të zhdukur për më shumë se 20 vjet, janë ende gjallë diku në Serbi dhe se një ditë do të kthehen.

Ai pretendon se djemtë e tij janë rrëmbyer nga forcat serbe në fshatin Zhabar të Mitrovicës, më 8 qershor të vitit 1999, pak ditë para se të përfundonte lufta në Kosovë. Në atë kohë, djali i madh, Fadili, ka qenë 32 vjeç, Gazmendi 24 vjeç, Armendi 20 vjeç dhe Hasani 15 vjeç.

Ai shprehet se menjëherë pas luftës, ka vendosur kontakte me së paku dy persona të nacionalitetit serb, të cilët i kanë thënë se djemtë e tij janë dërguar në Serbi si “robër lufte”.

“Ata, sipas informatave që i kam unë, më së pari kanë shkuar në Beograd. Në Beograd kanë qëndruar më pak se një muaj. Më pas i kanë çuar në Pozharevc [qytet i Serbisë]. Unë i kam pasur lidhjet dhe thuajse çdo javë kam folur me njërin [prej kontakteve] dhe me një tjetër çdo dy javë. Ata gjithmonë më kanë thënë se gjenden gjallë”, rrëfen Hasani.

“Ka shumë të gjallë… më shumë ka të gjallë sesa që mendoni ju, dhe i mbajnë për të kushtëzuar… Ata janë robër lufte”, janë fjalët e njërit prej kontakteve të tij, sipas Hasanit.

Ai tregon se autoritetet i kanë thënë që të shkojë të marrë trupat pasi janë gjetur dhe letërnjoftimet e tyre, e megjithatë ai nuk beson se djemtë e tij kanë vdekur.

“Më thanë: eja merri. Nuk kam shkuar t’i marr. Pse? Po, ku ishin qe 10-15 vjet ato letërnjoftime, që nuk i treguan? Ku ishin dhe kush i mbajti”, pyet Hasani.

Ai thotë se ka refuzuar të japë mostrat e gjakut të tij, që do të ndihmonin identifikimin e djemve të tij, përmes metodës së ADN-së, në rast se ata gjenden në mesin e mbetjeve mortore në varreza masive ose në morgun e Prishtinës.

“Nuk u besoj. Sa për eshtra, kurrë mos i gjetsha. Unë mendoj se ka të gjallë ende dhe i pres të gjallë. Sa për eshtra, çfarë më duhen eshtrat e rrejshëm…”.

Në morgun e Prishtinës, prej vitesh mbahen rreth 400 mbetje të paidentifikuara mortore të personave të zhdukur gjatë luftës. Kjo, për faktin se shumë familjarë hezitojnë të japin gjak për analizën e ADN-së, që bën identifikimin, kryesisht për shkak të mosbesimit në institucione.

Gjatë viteve, ka pasur raste edhe kur mbetjet janë identifikuar gabimisht, në bazë të metodës tradicionale të identifikimit, e cila bazohet në të dhënat antropomorfe, në rrobat që kanë pasur veshur viktimat ose në objektet e gjetura në varre. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) thotë se metoda e ADN-së është e besueshme dhe se identifikimi duhet të bëhet përmes saj.

Gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1,600 persona. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi. /REL

CATEGORIES
Share This