Latest
Notoi 18 orë nga Velipoja në Ulqin për t’u arratisur nga Shqipëria, historia e “burrit të çuditshëm” që…




Arratisja e guximshme për 18 orë me not e Tonin Gjinit nga Shqipëria staliniste në vitin 1987 është bërë film. Në vitin 1987, një notar profesionist 22-vjeçar i quajtur Tonin Gjini hyri në ujërat e Adriatikut në fshatin verior shqiptar të Velipojës me mikun e tij më të mirë, Pjerin Gjeka. Ata nuk ishin garues, por bashkëpunëtorë në një garë drejt lirisë.




Tetëmbëdhjetë orë më vonë, Gjini doli 18 kilometra përgjatë bregut në qytetin malazez të Ulqinit, në atë kohë pjesë e Jugosllavisë, duke lënë pas tij një regjim paranojak komunist që kishte mbyllur kufijtë e Shqipërisë për dekada. Gjeka u mbyt, 100 metra larg bregut. Gjini e tërhoqi trupin e shokut të tij deri në tokë. Një çerek shekulli më vonë, Gjini ka rikrijuar rrugën që përshkoi me not, këtë herë për një dokumentar të shkurtër të titulluar “Freestyle to Montenegro”, me regji të Ardit Sadikut.




Filmi ka tërhequr vëmendje të madhe në Ballkan që nga premiera e tij në 2021, veçanërisht në Beograd, dikur kryeqyteti i shtetit jugosllav që ishte gjithashtu komunist, por me një nivel lirie të ndryshëm nga kudo në Evropën Lindore në atë kohë. Sadiku, i cili ishte një fëmijë i vogël kur Gjini u arratis, tha se kjo histori e kishte tëhequr shumë si lufta e jashtëzakonshme e një njeriu për liri, por edhe si një mënyrë për t’i kujtuar shikuesve se si ishte jeta jo shumë kohë më parë. “Për ne është shumë e rëndësishme të flasim për të kaluarën, sepse e kemi varrosur atë”, tha regjisori 31-vjeçar. “Ne priremi të mendojmë se ajo nuk do të përsëritet, por kjo nuk i dihet kurrë. Duke folur për të kaluarën, ne mund të përballemi me më pak konflikte mes nesh.”
