in

Organizata politike e propozuar nga Macron e vendeve që duan integrim, Rama: Më duket vizionare!

FRANCË- Situata në Ballkan por dhe kandidatura e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Europian ka bërë që rreth një muaj më parë presidenti i Francës, Emmanuel Macron të propozojë krijimin e një organizate të re politike që mund t’i bëjë bashkë shtetet e kontinentit që i ndajnë vlerat evropiane.

Gjatë një fjalimi të tij në Strasburg për nder të Ditës së Evropës, Macroni tha se e dinë shumë mirë që procesi i lejimit të tyre [në BE] merr disa vite, në fakt me shumë gjasë edhe dekada.

“Ukraina, për shkak të luftës, tashmë është anëtare e Evropës, e familjes sonë, e bashkimit tonë. Por edhe nëse ia japim statusin e kandidatit nesër, procesi ka filluar dhe shpresoj që të lëvizë përpara drejt një pranimi të shpejtë. Por të gjithë e dimë shumë mirë që procesi për futje në BE merr shumë vite, në fakt mund të marrë dekada. Dhe kjo është e vërteta. Përpos nëse vendosim që t’i ulim standardet për qasje dhe ta rimendojmë bashkimin e Evropës sonë, dhe po ashtu pjesërisht, parimet që i kemi. Le të jemi të qartë. Bashkimi Evropian, marrë parasysh nivelin e integrimit dhe ambicies, nuk mund të jetë në afat të shkurtë mënyra e vetme përmes së cilës kontinenti evropian mund të strukturohet”.-tha Macron.

Macroni po ashtu ka thënë që ideja e përshpejtimit të anëtarësimit i ul standardet e BE-së, gjë të cilën ai e refuzon. Kështu, Macroni propozoi themelimin e Komunitetit Politik Evropian që do të ishte i hapur për shtetet që nuk janë pjesë e BE-së, apo edhe për Mbretërinë e Bashkuar që e kishte lënë atë.

“Është obligim i yni historik që t’u përgjigjemi sfidave të reja dhe ta krijojmë atë që sot do të kualifikohej si komunitet politik evropian. Kjo organizatë e re evropiane do t’ua mundësonte shteteve evropiane që i ndajnë vlerat tona që të gjejnë hapësirë të re për bashkëpunim politik, për siguri, për bashkëpunim në energji, në transport, për të investuar në infrastrukturë ku njerëzit mund të qarkullojnë, posaçërisht të rinjtë”, ka thënë Macron.

Pas këtyre deklaratave Kryeministri Edi Rama mbështeti idenë e presidentit francez, Emmanuel Macron për një Komunitet Politik Evropian, një organizatë që do të ishte e hapur si për anëtarët ashtu edhe për joanëtarët e BE-së.

“Unë mendoj se ai ka të drejtë. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë… sepse kjo është vizionare”, tha Rama, ndërsa nuk pranon të hyjë në detaje për formën që duhet të marrë komuniteti.

Ndërkohë një tjetër mbështetës i kësaj ideje ishte dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përqafoi propozimin e Macron për të krijuar një komunitet politik evropian. Qëllimi, shpjegoi Michel, është të thellohet bashkëpunimi për çështjet e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe politikës së jashtme. Bashkëpunimi ndërmjet shteteve të BE-së dhe shteteve joanëtare do të fokusohej në zbatimin e programeve socio-ekonomike që nuk kërkojnë domosdoshmërisht harmonizim rregullator. Pas seancës plenare, Michel vizitoi rajonin e Ballkanit për të paraqitur propozimin e ri, ku Serbia dhe Shqipëria deklaruan mbështetjen e tyre për nismën.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Presidenti i Këshillit Evropian deklaroi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe bëri thirrje për rinisjen e procesit të zgjerimit.

Ndërkohë presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka kritikuar sugjerimet e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, duke theksuar se ai është në favor të formimit të komuniteteve politike paralele me Bashkimin Evropian (BE), por gjithashtu theksoi se idenë e themelimit të një komuniteti politik evropian ai e sheh si një përpjekje për të mbuluar mungesën e dukshme të vullnetit politik ndaj dhënies së statusit kandidat Ukrainës.

Të 27 shtetet e BE-së kanë qenë të bashkuara në përkrahjen e rezistencës së Ukrainës ndaj invazionit rus, mirëpo liderët e këtyre shteteve janë të ndarë sa i përket shpejtësisë së Brukselit në pranimin e Ukrainës si shtet anëtar.

What do you think?

Written by Trend Live

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Moment frike në Botërorin e Notit. Notarja humb ndjenjat dhe përfundon në fundin e pishinës, e shpëton trajnerja

I FUNDIT/ Bordi ul çmimin e naftës me 3 lekë për litër